Në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, ku ndodhet KZAZ nr. 32, procesi i numërimit të votave po zhvillohet me kapacitete të reduktuara.
Nga tetë grupet e parashikuara për numërim, aktualisht janë funksionale vetëm tre, pasi përfaqësuesit e Aleancës për Shqipërinë Madhështore janë larguar.
KQZ ka urdhëruar që numërimi të përfundojë brenda ditës së sotme.
Zëvendëskryetari i KZAZ nr. 31, Kelvin Skrela, tha se situata është problematike për shkak të mungesës së komisionerëve nga Partia Demokratike:
“Nuk jemi duke punuar me kapacitete të plota. Nga 8 grupe të planifikuara, janë aktive vetëm tre. Kemi njoftuar PD-në për të sjellë komisionerët, por deri tani nuk kanë ardhur. Ne jemi KZAZ-ja më e madhe në vend, mbulojmë 10 njësi administrative dhe kemi marrë urdhër që procesi të përfundojë sot në orën 22:00,” u shpreh Skrela.
Ai sqaroi se numërimi ka nisur që në orën 01:00 të mëngjesit dhe prej orës 05:00 po vijon me vetëm tre grupe numërimi.