Gripi i shpendëve H5N1 nuk prek vetëm shpendët, por mund të transmetohet edhe te njerëzit, duke ngritur shqetësime për masat mbrojtëse që duhen marrë në stabilimentet e pularive.
Ky virus, i cili në SHBA ka shkaktuar humbje jete te njerëzit, kërkon masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e tij.
Sipas mjekut veterinar Kujtim Mersini, H5N1 është një nga variantet e gripit të shpendëve me potencialin më të madh për të infektuar njerëzit.
Megjithatë, në kontinentin europian nuk është raportuar asnjë rast infektimi tek njerëzit, duke e bërë rrezikun relativisht të ulët.
Në Shqipëri, ky virus ka prekur tashmë pularitë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë duhet të ndërhyjë jo vetëm për asgjësimin e shpendëve të infektuar, por edhe të vezëve, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.
Ndërkohë, edhe konsumatorët duhet të tregojnë kujdes, duke respektuar rregullat e higjienës dhe duke siguruar gatimin e ushqimeve në temperatura të larta, pasi trajtimi termik eliminon virusin.
Rastet e fundit në SHBA, ku edhe lopët janë infektuar me gripin e shpendëve, tregojnë se shtami H5N1 ka potencial të kalojë nga shpendët te gjitarët.
Mjeku veterinar Kujtim Mersini thekson se nëse ky virus do të prekë fermat e bagëtive në Shqipëri, pasojat për sektorin blegtoral do të jenë shumë të rënda.
Për këtë arsye, është e domosdoshme forcimi i monitorimit dhe survejimit veterinar, jo vetëm në pulari, por edhe në stabilimentet e gjedhit dhe derrave. Këta të fundit mund të shërbejnë si ndërmjetës për mutacionin dhe përhapjen e mëtejshme të virusit.
Gripi i shpendëve është i pranishëm në vend prej pesë muajsh, duke filluar me prekjen e shpendëve të egër, më pas atyre të oborrit dhe së fundmi edhe në fermat e mbarështimit, duke e bërë situatën më shqetësuese për sektorin bujqësor dhe blegtoral në Shqipëri.