Kjo e hënë shënon nisjen e seancave plenare në Parlament për vitin 2024.
Kjo senacë e parë për këtë vit do të hapet nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në orën 17:00, ku do të diskutohen 7 pika rend dite, duke filluar me miratimin e procesverbalit të seancës së fundit parlamentare të datës 21 dhjetor 2023.
Gjithashtu sot deputetët do të votojnë edhe për katër dekretet e Presidentit të Republikës për shkarkim mininistrash dhe emërimin e të rinjve në vendin e të larguarve. Ky votim kërkon shumicën absolute të votash së deputetëve.
Por, a do jetë kjo një senacë e zakonshme?
Duket se opozita ka në plan të vijojë me aksionin opozitar, duke e bërë gati të pamundur vijimin normal të punimeve në Parlament.
Këtë e kanë pohuar edhe vetë disa deputetë të opozitës, të cilët në daljet e tyre për mediat janë shprehur se do të vijojnë skenarin e mosbindjes civile, ndërsa në Kuvend do të mungojë lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi ndodhet në “arrest shtëpie”.