Një firmë, e shpallur disa herë si investitore strategjike, ka fituar tenderin për ndërtimin e ujësjellësit për investimet strategjike të bregdetin e jugut të Shqipërisë. Bëhet fjalë për firmën “Gjikuria”, e cila me dy vendime të Ramës ka marrë mijëra metra katrorë falas në zonën më të bukur të Shqipërisë për të ndërtuar resorte dhe vila private. Por, e njëjta firmë, do të marrë po nga Rama edhe plot 7.5 milionë euro për të ndërtuar Ujësjellësin që do të furnizojë me ujë këto resorte, disa prej të cilave të ndërtuara nga vetë “Gjikuria”. Një paradoks i madh, pasi përveçse shteti u ka dhënë me 1 euro truallin, tashmë po u bën edhe rrugë e ujësjellësa, me paratë e shqiptarëve të varfër. Madje, favorizohen të njëjta firma që fillimisht shpallen investitorë strategjike dhe më vonë fitues të tenderëve për bërjen e këtyre “punëve publike”.
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për ndërtimin e ujësjellësit e zonave të Investimeve Strategjike
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës – Kanalizimeve ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “furnizimi me ujë të zonave bregdetare, Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, Faza e Parë”. Mësohet se afati kohor për ekzekutimin është 18 muaj. Fondi limit i kësaj procedure është 743.232.358 lekë pa TVSH. Në këtë tender mori pjesë BOE “COLOMBO”, “FLED” dhe “NDREGJONI”. Kjo BOE ofroi 620.607.546 lekë. Firma “FUSHA” ofroi 732.893.011 lekë pa TVSH. Ndërkohë, BOE “GJIKURIA” & “G.P.G. COMPANY” ofruan 679.999.985 lekë. Por, këtu filloi edhe loja e “sëpatës”. Me vendime të kësaj Agjencia, janë skualifikuar ofertat më të ulta, ajo e BOE “COLOMBO” … për një sërë arsyesh. Ndërkohë, u skualifikua edhe një tjetër oligark, firma “Fusha”, për ti hapur rrugë vetëm investitorit strategjik firmës “Gjikuria”, e cila ka fituar edhe më parë një seri tenderësh për zonën e Green Coast.
Faksimile: Në vitin 2021 dhe 2023, firma “Gjikuria” është shpallur investitor strategjik në Palasë
Dokumentet e mësipërme, të siguruara nga BoldNews.al, janë të AIDA-s, e cila ka shpallur në dy raste firmën “Gjikuria” si Investitor Strategjik. Fillimisht me vendimin me numër 10\8 “për projektin e investimit me potencial strategjik ‘Coast to Coast”, që mori mbështetje edhe nga AZHBR-ja. “Projekti parashikon ndërtimin e një investimi kompleks të përbërë nga 3 hotele dhe vila rezidenciale me sipërfaqe truall 20.9 ha në zonën kadastrale 1739, në Himarë” thuhet në këtë dokument.
Ndërkohë, në një vendim tjetër me numër 34\11 të datës 1 gusht 2023, AIDA ka vendosur ta shpallë sërish investitor strategjik për “projektin e investimit ‘White Roads Hotel’”. Në të dyja rastet, firma “Gjikuria” ka marrë mijëra metra katrorë truall shtetëror, buzë detit Jon për vetëm 1 euro./ Boldnews.al