Ditën e sotme SPAK ka arrestuar dy zyrtarë, të cilët akuzohen për korrupsion. Bëhet me dije se Agron Balla dhe Klodian Gjeci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se merrnin ryshfet për të punësuar njerëz në Drejtorinë e Burgjeve.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me procedimin penal nr.18 viti 2021 që bën fjalë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.55, datë 06.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.Gj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A.B, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Durrës kanë ekzekutuar në datën 06.06.2023 masat e sigurimit personale të vendosura ndaj personave nën hetim të mësipërm.
Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.