Teksa protesta e studentëve ka mbërritur në ditën e saj të nëntë, kryeministri Rama, pasditen e së enjtes ka takuar rektorët dhe dekanët e universiteteve në vend për të diskutuar në lidhje me problematikat që kanë ngritur studentët.
Në mbledhje, Rama u shpreh se tarifat universitare janë përgjegjësi e universiteteve dhe rrjedhimisht, protesta lidhet pikërisht me ta. Sipas kryeministrit, duke parë problematikat e ngritura, ndoshta do të duhet ët rishikohet autonomia që u është dhënë universiteteve nga ligji i ri i arsimit.
“Nuk kam ardhur këtu të shkarkoj përgjegjësitë e qeverisë. Protesta e studentëve është shuplakë për qeverinë. Unë respektoj autonominë tuaj me ligj. Me siguri është për ju diçka dhe me siguri ju duhet të shikoni që kjo protestë lidhet në radhë të parë me ju. E kam fjalën për universitetet. Tarfiat janë përgjegjësi e universitetve për t’i propozuar dhe qeverisë për t’u pranuar. Si ka mundësi që studentët nuk e dinë fare që çfarë janë tarifat. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ligji i ri për arsimin e lartë i ka dhënë autonomi universiteteve. Është e pamundur që të zgjidhen nga lart poshtë disa çështje kyçe. Nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni kur duhet t’i dilni ju përballë studentëve, nëse ka ardhur dita që trupat brenda ndahen të partive dhe nëse ka ardhur dita që t’ja lini rrugës fatin e studentëve, atëherë më falni po duhet ta rishikojmë autonominë se mbase ka qënë e parakohëshme!”-është shprehur Rama. Ai gjithashtu ka shtuar se bordi i administrimit duhet shkarkuar tërësisht.
“Unë jam i mendimit që bordi i administrimit duhet të shkarkohet i gjithi dhe të zëvëndësohet nga një person publik. Kur mendoj që rektori është i arratisur nga përgjigjësia dhe që ka bllokuar disa dekanate për arsye të mosarsyres, them: Ku po jetojmë?”-vijoi më tej kryeministri duke shtuar edhe se në shpenzimet e universiteteve ka disbalanca të mëdha dhe kjo nuk është përgjegjësi e qeverisë.
“Po të shohësh shpenzimet e universitetit dhe ka disbalanca ekstreme, me falni po ku hyn qeveria këtu? Jo për të hequr përgjegjësinë e saj, sepse unë jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës që studentët i kanë dhënë qeverisë… Po të shohësh raportin për veturat, automjeteve, sigurinë… S’e kuptoj se përse universitetet duhet të kenë një numër aq të lartë të rojeve të sigurisë. Mbase zhvillon studime sekrete por që të angazhosh kaq shumë roje që të mbrojnë punimet “Folklori shqiptar dhe politika e jashtme e vendit…”-ka thënë Rama në takim.