Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maliq vetëm dy ditë para Vitit të Ri. Luljeta Hoxha, 67 vjeçe ka përjetuar torturë për disa orë, teksa një person ende i paidentifikuar i ka grabitur 10 mijë euro pasi e ka dhunuar dhe lidhur duar e këmbë.
Ndërkohë që detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me grabitjen me dhunë që ndodhi në Maliq, ku një e moshuar ra pre edhe e dhunës. Ngjarja ndodhi më 29 dhjetor të 2022, në fshatin Pirg, ku autorët vodhën 10 mijë euro. Policia ka administruar si prove materiale litarin që është lidhur e moshuara Luljeta Hoxha në momentin e grabitjes. Bëhet e ditur për “Ballkan Web”, se për ngjarjen janë sekuestruar kamerat e sigurisë së banesës ngjitur (banesë e vëllait të burrit të Luljeta Hoxhës), nga ana e policisë, të cilat mund të ketë fiksuar lëvizjen e autorit të ngjarjes.
Ndërkohë për çështjen janë marrë në pyetje shume persona, të afërm dhe fqinj të të moshuarës, ndër ta dhe 4 të rinj te zonës, të cilët i përshtaten përshkrimit të 67-vjeçares për autorin e grabitjes, por ende nuk ka të ndaluar për këtë ngjarje. Një ndër pistat ku po heton policia për këtë ngjarje, janë personat të cilët 67-vjeçarja ka pasur kontakte të vazhdueshme.