Banka e Shqipërisë publikoi të enjten ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit, që japin edhe një informacion përmbledhës për blerjet e deritanishme të realizuara në tregun e brendshëm valutor.
Sipas informacionit të publikuar, vetëm në tremujorin e tretë të vitit Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 49.2 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, nga 47.2 milionë euro që ishin blerë në të gjithë 6-mujorin e parë të vitit.
Në total, për 9 muaj Banka e Shqipërisë ka blerë zyrtarisht 96.4 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Blerjet janë kryer nëpërmjet ankandeve të planifikuara, për nevojat e rritjes së rezervës valutore të vendit. Sipas të dhënave ende jo zyrtare të mbledhura nga Monitor për blerjet e realizuara në tremujorin e fundit, vlerësohet për të gjithë vitin 2022 blerjet e Euros nga Banka e Shqipërisë kanë arritur në afërsisht 140 milionë euro.
Megjithë blerjet në shuma të konsiderueshme nga Banka e Shqipërisë dhe ato edhe më të larta nga Korporata Eleketroenergjetike Shqiptare (KESH), kursi i këmbimit të Euros ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2022. Sipas kursit zyrtar të këmbimit që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, të enjten Euro u këmbye me 113.4 lekë.
Kursi i Euros u rimëkëmb disi pas rënies së fortë që pësoi më datë 28 dhjetor dhe agjentët e tregut mendojnë se mund të ketë pasur një ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë për të thithur pjesërisht ofertën shumë të madhe të monedhës europiane në treg. Megjithatë, gjatë vitit 2022, Euro ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm me 6% në kursin e këmbimit me Lekun.
Megjithëse deficiti i llogarisë korrente gjatë këtij viti nuk ka pësuar luhatje të mëdha krahasuar me vitin 2021, të paktën nga të dhënat e disponueshme deri në fund të 9-mujorit, por ekspertët e tregut besojnë se rritja e ofertës për Euro mund të lidhet me rritjen e investimeve të huaja direkte, sidomos ato në pasuri të paluajtshme si edhe me prurjet e shumta të lidhura me ekonominë e zezë dhe atë informale.
Forcimi i monedhës vendase ndaj Euros ka ndihmuar ekonominë shqiptare të amortizojë pjesërisht presionet e forta inflacioniste nga tregjet e jashtme të mallrave. Por, nga ana tjetër ky mbiçmim nga ndikuar negativisht sektorët eksportues të ekonomisë.
Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë ka parashikuar gjithsej 16 ankande të blerjes së euros, që do të zhvillohen mes datës 17 shkurt dhe 20 dhjetor. Vlera e blerjeve të euros parashikohet në intervalin midis 160 dhe 220 milionë eurove, në rritje të konsiderueshme krahasuar me shifrat e pritshme të këtij viti. Në fund të muajit tetor, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.96 miliardë eurove, në rritje me 17.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./MONITOR