Ditën e sotme kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha pas vizitës së bërë në Panairin e Librit foli për mediat, ku sulmoi qeverinë e cila sipas tij po ndjekë politikat anti-kombëtare dhe politika anti-libër.
Ai tha se në Shqipëri libri taksohet më shumë se në çdo vend tjetër dhe kjo shtoi Berisha është politikë e kësaj qeverie.
“Mirënjohjen më të thellë ndaj krijuesve të librave të ekspozuar. Në këtë panair, në këtë festival madhështori i librit, me krijimet e tyre, me gjeninë e tyre krijuese, ata janë kontributorët kryesorë në forcimin, në shkëlqimin e identiteti tonë kombëtar. Asgjë nuk lidhet me identitetin e shqiptarëve më shumë se libri dhe gjuha, dhe gjuha dhe libri. Kjo mori publikimesh përbëjnë një arritje të re për kulturën, letrat shqipe. Unë jam këtu për të dënuar politikën anti-kombëtare të Edi Ramës, të këtij armiku të egër të librit, të kulturës, të këtij antishqiptari, që futi buldozerat Teatrit Kombëtar, që mbulon me ndërtime 120 objekte të trashëgimisë kulturore, që po rrënon Butrintin dhe vlera të tjera të mëdha. Jam këtu për të denancuar qëndrimin anti-libër të tij. Libri në Shqipëri taksohet më shumë se kushdo në Evropë”, tha Berisha.
Ai premtoi se kur të vijë në pushtet do aplikojë tjetër strategji, e cila konsitston në përjashtimin nga taksat për shtypshkronjat dhe shtëpitë botuese.
“S’do ketë taksë për shtypshkronjat dhe për shtëpitë botuese”, theksoi ai.