Skip to content
Të Gjitha

E rëndë në Sarandë! 33-vjeçari italian ndërron jetë në spital, dyshimet e para

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë ku bëhet me dije se një 33-vjeçar italian ka humbur jetën.

Pasditen e sotme  shtetasi italian është paraqitur në spital, ku më pas ka ndërruar jetë.  Dyshimet e para raportojnë se bëhet fjalë për arrest kardiak.  Ndërkohë që grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Sarandë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 16:30, në spitalin e Sarandës, ka mbërritur për ndihmë mjekësore shtetasi italian D. N., 33 vjeç, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital, dyshohet si pasojë e një arresti kardiak.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Kujtojmë që ditën e djeshme një situatë e pazakontë e ka rikthyer kryebashkiakun e Sarandës, Adrian Gurma në profesionin e tij, atë të mjekut. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 23.30 të ditës së djeshme në shëtitoren e Sarandës, ku një turiste italiane ka humbur ndjenjat duke rënë në tokë pasi nuk ishte ndjerë mirë.

Të afërm të saj dhe kalimtarë të rastit janë përpjekur që ta ndihmojnë duke i dhënë ndihmën e parë, ndërsa ka ndërhyrë edhe vetë Gurma, i cili ndodhej në shëtitore së bashku me stafin e tij për inspektim. Sipas bluzave të bardha të urgjencës në Sarandë, 57-vjeçarja italiane Tereza Zakarelo mori ndihmën mjekësore për  gjendje lipotimie me luhatje te tensionit, takikardi dhe çrregullime të  funksionit kardiak që i kishte ardhur nga qëndrimi i gjatë në diell gjatë ditës. Ajo qëndroi në urgjencë për rreth 4 orë dhe u largua në gjendje të normalizuar.