Ditën e djeshme një ngjarje tragjike ndodhi në Himarë ku një vogëlushe 7-vjeçare humbi jetën tragjikisht teksa po notonte në afërsi të bregut. Komisari Arjan Tase ishte drejtuesi i mjetit lundrues dhe po kryente manovra të rrezikshme në afërsi të bregut sipas pushuesve dhe për pasojë gomonia që ai drejtone goditi për vdekje vogëlushen.
Ndërkohë që pasditen e sotme mes dhimbjes së thellë e lotëve, familjarë e qytetarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit vogëlushes Jonada.
E mitura, që ishte kthyer në atdhe me prindërit për disa ditë pushime, u nda nga jeta tragjikisht, nga papërgjegjshmëria e Tases. Drejtuesi i gomones ishte Arjan Tase, ish-shefi i Komisariatit të Himarës, i cili rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë.
Por, përsëri ka arritur të rikthehet sërish në detyrë në Policinë e Shtetit.
Vlen të theksojmë se Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës akuzohej për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës. Në dhjetor të 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjë kanabis në Vlorë.
Arjan Tase është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës në 27 prill 2022 dhe u rikthye në polici më pas në detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Situata me mjetet lundruese është alarmante në vend, pasi në një periudhë të shkurtër kohore janë rregjistruar disa aksidente ku mjetet lundruese kanë goditur pushuesit në breg apo edhe në çadrat e tyre.