Ditën e sotme SPAK ka veprur me “dorë të hekurt” në Elbasan.
Mësohet se gjyqtarja Zamira Vyshka akuzohet për korrupsion dhe për të është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest shtëpie.”
Ndërkohë sipas njoftimit të SPAK, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg” për avokatin Ilir Pashaj dhe shtetasit Taulant Ramollari e Xhulio Musaj. Ky i fundit është i dënuari për të cilin janë paguar lekët.
Kujtojmë që një ditë më parë gjykata e shkalles së parë ka vendosur arrest shtëpie për gjykatësen, arrest me burg për avokatin dhe dy shtetas të tjerë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.209 të vitit 2021, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr. 64 datë 21.07.2022 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal për 5 (pesë) shtetas.
Më datë 22.07.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.64 datë 21.07.2022, për caktimin e masave të sigurimit. Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale për shtetasen Z. V., me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan. Janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, për shtetasin I. P., me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit T.R. dhe Xh.M.
Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale edhe për shtetasin A.T.”