Ditën e djeshme AKSHI njoftoi se e-Albania dhe platformat e tjera online qeveritare janë mbyllur për shkak të një sulmi kibernetik nga jashtë.
Ndërkohë që ministrja e arsimit, EVIS Kushi ka treguar se si do procedohet me regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të nxënësve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të shtyjë afatin e regjistrimeve në klasa të para dhe të dhjeta për një afat të pacaktuar, për shkak të mbylljes së përkohshme te e-Albania.
“Për shkak të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, e cila ndikon edhe procesin e regjistrimit për nxënësit në klasa të para dhe të dhjeta, kemi vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjmë deri në një datë të pacaktuar.
Dëshiroj të garantoj prindërit dhe nxënësit se kjo ndërprerje nuk do të ndikojë aspak në procesin e regjistrimit, dhe se çdo nxënës do të ketë mbështetjen tonë të nevojshme deri në finalizimin e procesit. Në vijim do t’ju informojmë përsëri për rihapjen e aplikimeve dhe afatet e reja të regjistrimit”, shkruan Evis Kushi ne Facebook.
Vlen të përmendim se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve online si edhe të faqeve tjera qeveritare, pasi gjendet në një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
“Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike. Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike”, thuhet në një njoftim.