Ukraina po bën pothuajse dy muaj luftë, ndërkohë që pasojat janë fatale.
Komandanti i njësisë së marinës ukrainase në qytetin e rrethuar të Mariupolit i shkroi një letër Papa Françeskut duke i bërë thirrje që të shpëtonte njerëzit që kishin mbetur në qytet nën bombardimet e rënda.
Në letrën e publikuar në faqen e internetit të Ukrainska Pravda, Maj. Serhii Volyna, komandanti i Brigadës së 36-të të Marinës të Veçantë, shkruante: “Unë nuk i kam parë thirrjet tuaja drejtuar botës dhe nuk i kam lexuar të gjitha deklaratat tuaja të fundit, kam qenë duke luftuar për më shumë se 50 ditë në rrethim të plotë dhe gjithçka për të cilën kam kohë është një betejë e ashpër për çdo metër të një qyteti të rrethuar nga armiku”.
Gjithashtu Volyna shkruajti se ishte gati të “luftonte deri në fund”, pavarësisht zjarrit të vazhdueshëm të artilerisë dhe raketës, mungesës së ujit, ushqimit dhe ilaçeve, duke shtuar: “Ju ndoshta keni parë shumë në jetën tuaj. Por jam i sigurt që nuk keni parë kurrë çfarë po ndodh në Mariupol. Sepse kështu duket ferri në tokë. Kam pak kohë për të përshkruar të gjitha tmerret që shoh këtu çdo ditë. Në fabrikën [Azovstal], gratë me fëmijë dhe foshnja jetojnë në bunkerë. Në uri dhe të ftohtë çdo ditë duke u shënjestruar nga aviacioni armik. Të plagosurit vdesin çdo ditë sepse nuk ka ilaç, ujë, ushqim”.
Oficeri aludoi për teatrin e dramës në Mariupol që u godit nga një sulm rus ndërsa përdorej si strehë për civilët në mars.
“Ka ardhur koha kur lutja nuk mjafton,” tha Volina. “Ndihmoni për t’i shpëtuar. Pas bombardimit të teatrit të dramës, askush nuk i beson pushtuesit rusë. Sillni të vërtetën në botë, evakuoni njerëzit dhe shpëtoni jetën e tyre nga duart e Satanait, i cili dëshiron të djegë të gjitha gjallesat.”