Më herët kryeministri Rama ka thënë se po punohet për të rregulluar pjesën e faturave të energjisë elektrike në bazë të parimit: “Të pasurit do të paguajnë më shumë së të varfërit”.
Në fakt, kryeministri nuk ka dhënë shume detaje teknike se si do të bëhej diferencimi midis dy kategorive. Më shumë lidhur me këtë ide të qeverisë ka shpjeguar ministrja Balluku, që tha se nuk do të bëhet klasifikim i familjeve të pasura dhe të varfra.
Ajo tha se rreth 700 kilovat në orë është mesatarisht sasia e energjisë që konsumon një familje. Pra ato familje që e kapërcejnë këtë fashë do të konsiderohen të “pasura” në pagimin energjisë e elektrike. Por gjithashtu Balluku sqaroi se 700 kilovat orë është thjesht në kuadrin e propozimit dhe se nuk ka ende një vendim mbi këtë.
“Kryeministri nuk e ka thënë të pasur dhe të varfër, nuk mund t’i ndajmë kështu. Nuk kemi ndonjë synim që ti klasifikojmë kështu. Kryeministri i referohet personave që konsumojnë më shumë energji. Ne po bëjmë një studim se sa kilovat orë i duhet familjeve normale për të konsumuar. Për të pasur elektroshtëpiake, ngrohje mesatare dhe për të pasur një familje mesatare. Përsa i përket familjarëve, duke pasur një analizë të mirëfilltë, cila konsiderohet një sasi që mund të sigurojë energjinë. Sot po bëjmë diferencimin e një fashe. Rreth 700 kilovat orë është fasha. Nuk është marrë një vendim. Rreth 700 kilovat orë është mesatarisht sasia e energjisë që konsumon një familje. Ata që harxhojnë më shumë, do paguajnë më shumë. Ne na është dashur t’i futemi kësaj analize për të klasifikuar energjinë e nevojshme. Kush do harxhojë më shumë, do e paguajë”, pohoi ministrja Balluku.