Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë duke hasur në një hendek të madh sidomos pas publikimit të lajmit në mediat greke se Shqipëria kishte hequr nga Fletorja Zyrtare vendimin për të drejtën e pronës ndaj minoritetit.
Ky ka qenë një lajm që ka tronditur jo pak shtetin fqinj, gjë që ka shtyrë vetë kryeministrin Rama të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij grek për të sqaruar situatën dhe ndoshta keqkuptimet e krijuara.
Nga ajo që bëhet e ditur telefonata ka qenë e qetë dhe është biseduar për një bashkëpunim më të gjerë mes dy vendeve, por edhe mundësitë e Shqipërisë për t’u integruar në BE.
Kjo është një tjetër temë e nxehtë, pasi në momentin që në mendian greke u përfol për lajmin e heqjes së të drejtës së tokës ndaj minoritetit, kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka bërë edhe një deklaratë të fortë.
Tsipras ka thënë se problemet që janë me minoritetin grek, kanë për ta penguar shkuarjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Kjo mund të jetë një nga arsyet përse është zhvilluar edhe kjo telefonatë ditën e sotme, megjithatë jemi në pritje të një deklarate zyrtare nga ana e kryeministrit Rama.