Ditën e sotme mediat në Serbi e kanë cilësuar situatën e paparashikueshme në Tiranë, ku u mbajt një protestë e thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Mediat atje, kanë shkruar për djegien e flamurit serb nga ana e protestuesve. Ata hapen me titullin: “Horror në Tiranë, ekstremistët shqiptarë djegin flamurin serb”, ndërsa në një tjetër titull thuhet:
“Egërsirat në Tiranë: Protestuesit djegin flamurin serb”. Mediat po ashtu, janë ndalur dhe në momentin kur një i ri, teksa përpiqej të hiqte flamurin serb nga një shtyllë elektrike, bie në tokë. Sakaq, mediat në fjalë, thonë se burime të afërta të tyre, thonë se protesta është organizuar nga Sahit Dollapi, Agron Kuliçaj e Sali Lushaj, të cilët cilësohen nga media si njerëz të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kujtojmë se Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev dhe kryeministri Edi Rama, po takohen në Tiranë në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur”. Aktualisht ata ndodhen në Elbasan, ku po mbahet edhe darka zyrtare me delegacionin, ndërsa nesër, pritet të ketë një konferencë të përbashkët të tre liderëve.
Kujtojmë se flamuri serb është djegur para godinës së Kryeministrisë së Shqipërisë. Pamjet tregojnë momentin kur disa të rinj i vënë zjarrin flamurit serb pikërisht në ditën kur Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ndodhet në Tiranë.
Në këtë mënyrë të rinjtë shqiptarë kanë ‘marrë hak’ pas djegies së flamurit shqiptar në Beograd, në kohën që kryeqytetin serb e vizitoi kryeministri Edi Rama.