Ditën e sotme Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë kanë protestuar para qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar masat anti-COVID që prekin këtë sektor.
“Boll ma” ka qënë thirrja që ata bënë për institucionet shtetërore për masat dhe kufizimet që iu është bërë këtij sektori. Sipas mediave kosovare protesta u mbajt në orën 13:00. Ata kërkuan nga qeveria që të zgjatet orari i punës deri në orën 01:00, të lejohet puna në sallat e dasmave, të bëhet subvenvionimi i punëtorëve që nuk kanë punuar që 600 ditë e të shtyhet pagesa e afateve të kredive. Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit , Hysen Sugojeva ka deklaruar se qeveria ka marrë masa pa u konfultuar me ta.
“Për t’i shmangur protestat i jemi drejtuar Qeverisë disa herë, por kemi hasur në vesh të shurdhër. Sot kërkojmë lirimin e masave të fundit. Përderisa pushtetarët po mbajnë darka lame, fushata politike me mbi 1 mijë njerëz duke zgjatur orarin të vendosur vetë ata, dhe neve nuk na lejohet të punojmë, ku është e drejta këtu. Edhe pse jemi në përparësi me procesin e vaksinimit, 60.01% të popullsisë të vaksinuar me dy doza,66 % e nga një dozë pra po thuajse jemi të imunizuar”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka paralajmëruar protestë edhe më masive se kjo e sotme.
“Ne sot ish dashtë m’i prit mërgimtarët. Ne nuk kemi dashtë m’i mbyll bizneset tona. Na nuk jemi të dhunës, po të punës. Ne sot kemi dashtë ta bëjmë një paralajmërim të një proteste ende më të madhe, ne duam ta dëshmojmë edhe sot se ne nuk jemi të dhunës por jemi të punës”, ka deklaruar ai.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, sa i përket sektorit të gastronomisë masat janë të njëjta siç kanë qenë. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të kenë çertifikatë vaksine në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve. Në lokalet e gastronomisë duhet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e dëshmive për vaksinim dhe test negativ anti-Covid. Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.