Skena kaotike u panë të premten në një autostradë në Kaliforni, ku dhjetëra persona vrapuan të përfitonin pasi paratë që ndodheshin brenda një furgoni të blinduar u përhapën në rrugë.
Por shpresat e njerëzve për një dhuratë të mirë në dollarë cash para Ditës së Falënderimeve u shuan nga policia që ndërhyri dhe arriti të arrestonte dy persona.
“Ka shumë dëshmi me pamje filmike të njerëzve që po vjedhin para nga rruga”, tha Rreshteri i Patrullës së Autostradave të Kalifornisë, Curtis Martin, në një konferencë për mediat. Paratë, të prerjeve të ndryshme, që në total arrinin vlerën e mijëra dollarëve, i përkisnin një banke. Martin tha se të gjithë ata që kanë arritur të marrin ndonjë dollar, duhet ta kthejnë.
Paratë përfunduan në rrugë pasi furgoni i blinduar që po i transportonte u aksidentua në afërsi të San Diegos. Në rrjetet sociale u postuan shumë video të njerëzve që merrnin paratë nga toka, por Policia tha se të njëjtat pamje do të përdoren kundër tyre si provë për vjedhjen e parave.
Kujtojmë se videot e publikuara në mediat sociale po analizohen nga policia, e cila thotë se po verifikon targat e automjeteve që kanë ndaluar në rrugë. Autoritetet u kanë bërë thirrje shoferëve që të kthehen dhe të dorëzojnë paratë që mblodhën në autostradë. Njëri prej tyre dorëzoi 2100 Dollarë, kurse një tjetër 500 Dollarë. Ata që nuk dorëzojnë paratë e gjetura, do të akuzohen për vjedhje të pasurisë së humbur.