Ditën e sotme Partia Demokratike ashtu sic kishte paralajmëruar kërkoi ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Beccheti. Duke qenë se Komisioni Hetimor për këtë çështje nuk është ngritur akoma, sot nënkryetarja e PD Grida Duma dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për mosngritjen e komisionit hetimor për këtë çështje duke konsideruar e Kuvendin antikushtetues.
Në një prononcim për mediat Grida Duma tha se Rama ka frikë të hetohet sepse është i dështuar, shkaktar për humbjen e 120 mln eurove.
“Padyshim fitorja e parë e PD-së është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor sepse janë të qartë që është një çështje e humbur. Komisionet hetimore me ¼ e firmave të deputetëve mblidhen dhe janë të legjitimuar. PD nuk mund të ndalojë në një fitore publike, mediatike. Rama ka frikë të hetohet sepse është i dështuar, shkaktar për humbjen e 120 mln eurove. 120 mln euro i arbitrazhit ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë dhe duhet ta paguajnë shqiptarët, shkaktarë janë ata duke influencuar dhe tek gjykatat shqiptare”, tha Duma.
Pyetjes nëse kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor ishte veprim i vonuar, Duma nuk e pranoi. Ajo tha se PD është shpejtuar për këtë çështje.