Kryetari i degës së Partisë Demokratike Fier, Luan Baçi ka rrëfyer detaje të tjera nga takimi që ka zhvilluar me kreun e PD-së, Lulzim Basha në selinë e PD-së.
Baçi është shprehur se Basha i ka kërkuar të japë dorëheqjen nga kryetar i degës së PD në Fier, gjë që deputeti e ka refuzuar.
Gjithashtu ai i ka kërkuar kreut të PD-së, që të mos komandojë emër tjetër pa pyetur më parë drejtuesit e PD në Fier.
“Nuk ka asnjë vendim zyrtar qoftë për komandim të X apo Y, apo për pezullimin tim. Kam patur një takim mbrëmë 10 minuta, ka bërë një propozim për komandim dhe kërkonte dorëheqjen time, gjë që nuk e kam dhënë. I kam thënë nuk po jap dakordësi si individ pavarësisht se kam edhe pozicionin e deputetit dhe kryetarit të degës, pa pyetur Kryesinë e Degës”, tha Baçi.
Nga ana tjeter PD sqaroi se Luan Baci nuk është shkarkuar por ai ka dhënë dorëheqjen si kryetar i PD, dega fier si pasojë e procesit te kandidimit për zgjedhjet e 25 prillit. Deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja në PD, me vendim të kryedemokratit Basha, kryetar i emëruar i degës së PD Fier do të jetë Agron Kapllanaj.