Ditën e sotme është zbardhur dëshmia e të riut Redi Balla, që mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme me armë zjarri pranë lulishtes së “Komunës së Parisit” në Tiranë. Balla i është nënshtruar gjatë natës një ndërhyrje kirurgjikale, dhe gjatë dëshmisë së tij ka thënë se nuk i ka parë personat që e kanë qëlluar.
“Parkova makinën dhe po merresha me celularin, nuk e pashë se kush më qëlloi”, mësohet të jetë shprehur 22-vjeçari, ndërkohë që burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai është qëlluar nga shumë afër.
I riu ka thënë që në momentin që e kanë qëlluar ai në mënyrë instiktive ka mbuluar kokën me duar, që tiu shpëtonte plumbave. Sipas tij ai ishte duke shkuar në banesë, pasi kishte dalë me miqtë e tij për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares Shqiptare.
22-vjeçari ndodhet në spitalin e traumës me plagë të plumbave në këmbë jashtë rrezikut për jetën. Grupi i hetimit ka dyshime se nuk ka qenë qëllimi për ta ekzekutuar të riun por për ti dhënë një mesazh apo paralajmërim.
Janë shoqëruar në komisariat disa persona, kryesisht të njohur dhe familjarë të Redi Ballës, për tu marrë në pyetje. Grupi i hetimit po punon për vëzhgimin e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të mgjarjes por edhe rrugët lidhëse për të përftuar prova apo indicie për zbardhjen e identitetit të autorit.