Polonia ka kaluar në avantazh ndaj Shqipërisë me nje gol të Sviderski, pavarësisht se Kombëtarja po zhvillonte një lojë mjaft të mirë.
Menjëherë pas kësaj ndeshja është ndërprerë dhe mes tifozëve ka pasur përplasje. Golashënuesi polak festoi duke provokuar tifozët shqiptarë dhe këta të fundit menjehërë kanë gjuatur shishe në drejtim të fushës.
Arbitri ndërpreu ndeshjen dhe skuadrat janë futur në dhomat e zhveshjes, ndërsa është bërë vazhdimisht thirrje që tifozët të ruajnë qetësinë.
Ndërkohë, kombëtarja po lunate një ndeshje mjaft pozitive, të cilës i mungoi vetëm finalizimi në gol. Pak para ndërprerjes së lojës, tekniku Edi Reja kishte hedhur në fushë edhe Armando Brojan, heroin e Budapestit që me golin e tij i dha fitoren Shqipërisë.
Tashmë, ndeshja ka rifilluar sërish edhe pas komunikimit me zyrtarët e lartë të UEFA-s, ndërsa incidenti më i vogël rrezikon edhe humbjen në tavolinë dhe tre pikë shumë të vlefshme për Poloninë.
Kujtojmë që Shqipërisë i duhet një fitore ndaj polakëve në mënyrë që të jetë më pranë fazës play-off të Botërorit “Katar 2022”.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e grupit mes Anglisë dhe Hungarisë është mbyllur me barazimin 1-1 në Wembley, ku gjithashtu nuk kanë munguar skenat e dhunës. Tifozët e Hungarisë janë përplasur me policinë angleze, në skena që mund të konsiderohen huligane.