Skip to content
Kryesore

Policia prangos gazetarin holandez në protestë dhe i mban telefonin: A do të reagojë ambasadorja Monster, që lavdëroi SPAK-un dhe u shpreh e shokuar nga dhuna në protesta?

· 2 min lexim

Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei u prangos nga policia shqiptare gjatë protestës së 7 nëntorit, u mbajt mbi dy orë në komisariat dhe u lirua pa akuzë. Sipas dëshmisë së tij, policia i mbajti edhe telefonin.

Zonja ambasadore Marleen Monster, ju që lavdëruat drejtësinë shqiptare dhe u shprehët e shokuar nga dhuna në protesta, mos vallë ju shqetëson edhe ky protestues i vendit tuaj? Edhe gazetari holandez po bezdiste policinë? Kjo ishte dhuna që ju shqetësonte, ndërsa dhuna e policisë nuk ju shokon?

Vincent van Gerven Oei ka investiguar aferat e pushtetit shqiptar, përfshirë inceneratorin e Tiranës, projektin “Harabel”, çështjet e Belinda Ballukut dhe “The Albanian Files”. Policia pretendoi se kishte pamje ku ai hidhte gurë, gjë që gazetari e mohon. Gjatë ndërhyrjes ai u prek edhe nga spërkatja me piper.

A ishte rastësi që u prangos pikërisht ky gazetar, apo ndërhyrja lidhej me investigimet e tij? Kjo mbetet për t’u hetuar. Por policia duhet të shpjegojë ligjshmërinë e prangosjes dhe mbajtjes së telefonit, pavarësisht motivit.

Zonja Monster, shqiptarët kanë javë që denoncojnë dhunë policore dhe arrestime të paligjshme. Tani një shtetas i vendit tuaj përjetoi të njëjtin trajtim. A do të reagoni? Po presim përgjigje  tuaj!

Më 2 nëntor lavdëruat SPAK-un dhe kreun e tij, Klodian Braho, ndërsa dosjet e mëdha si Balluku, inceneratorët, AKSHI, Gërdeci dhe 21 Janari ende zvarriten për drejtësi përfundimtare. Më 6 nëntor folët për dhunën në protesta, pa kërkuar fare përgjegjësi nga policia.

Ju që keni kaq besim te institucionet shqiptare, që mbështesni reformën në drejtësi dhe bashkëpunoni me SPAK-un, çfarë mekanizmash të tjerë keni për të kërkuar llogari? Apo ndikimi juaj mjafton për t’i lavdëruar institucionet, por jo për t’u kërkuar përgjegjësi?

Dhe mbi të gjitha, çfarë interesash mbroni, zonja ambasadore? Të qytetarëve shqiptarë dhe holandezë, të demokracisë, apo marrëdhëniet me pushtetin, projektet e financuara dhe interesat e një establishmenti europian që mund të mos jetë aq i ndryshëm nga ky i yni?

Një qytetar i vendit tuaj u prangos, u lirua pa akuzë dhe denoncon se policia i mbajti telefonin. A do të kërkoni llogari, apo do të vazhdoni të heshtni?

Presim reagimin tuaj, zonja Monster!