Kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e sotme planin me tre pika, që sipas tij do të ndihmojë vendin në përballimin e krizës energjetike, që ishte paralajmëruar nga vetë ai një javë më parë.
“Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara”, tha Rama duke prezantuar pikën e parë.
Në fakt, një fillimi i tillë plani për të përballuar një krizë energjetike ngjason më shumë me premtimet elektorale të para 8 viteve, kur Rama premtonte drita dhe ujë 24 orë. Dhe sot, pas dy mandatesh dhe përballë një krize të pritshme, ai premton të njëjtën gjë. Rama premtoi vetëm furnizmimin e pandërprerë me energji elektrike, por harrroi të tregonte si do realizohet pika e planit. Është e qartë se edhe në këto kushte, qeveria jo vetëm që nuk ka mirëmenduar asnjë detaj, por tenton të manipulojë njerëzit dhe t’i bëjë të mendojnë se bën çdo gjë për ta.
“Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike vijon një numër masash të detajuara”, vazhdoi Rama me pikën e dytë.
Si një parti teorikisht e majtë, Partia Socialiste gjatë kohës që ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë që të mbrojë shtresat në nevojë e as bizneset e vogla, me politika sociale që do të lehtësonin kostot e jetesës, por edhe për të mbrojtur pronën e tyre publike. Në një kohë që ka rrënuar sektorin e energjisë, pasojat e të cilës do t’i vuajnë vetëm qytetarët, Ramës i ka mbetur vetëm populizmi i majtë që e nxjerr atë si heroin protagonist dhe babanë e familjes që mendon gjithmonë për “fëmijët” e tij.
“Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy”, përfundoi Rama prezantimin e planit me tre pika.
Sërish pa dhënë asnjë detaj, Rama thjesht la të kuptohej se kjo “krizë” do të kushtojë fillimisht dhe nga ç’është bërë e ditur, të paktën 200 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë.
Plani i Edi Ramës, ashtu si qeverisja e tij, nuk ishte gjë tjetër veçse propagandë dhe tentativë për të larë duart pasi korrupsioni dhe keqmenaxhimi sollën në një krizë që mund të shmangej. Fatkeqësisht tashmë qytetarët shqiptarë nuk i shpëtojnë dot as fjalimet e as tautologjia e vazhdueshme e kryeministrit, pasi veç vështirësive të tjera e problemeve që qeveria u ka hedhur mbi supe këto vite, tashmë është shtuar edhe një më shumë.
Ajo që Rama duhet të bënte sote, ishte të shpjegonte bllokimin e dhjetëra HEC-eve dhe abuzimet që kanë ndodhur në këtë industri prej vitesh, që po të ishin shmangur do ta kishin bërë të panevojshëm hartimin me tre pika dhe propagandën e lodhshme.
Aksident i rëndë në Belsh
Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në fshatin Dragot, në territorin e bashkisë së Belshit. Burime...