Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në lëvizje. Gazetarja Klodiana Lala raportoi mëngjesin e sotëm se Llalla kërkon që të pezullohet ekzekutimi i vendimit që është marrë ndaj tij, dënimi me dy vite burg për fshehjen e pasurisë. Kërkesa e tij, iu është depozituar nga avokati Sokol Hazizaj e cila do të hidhet në short në ditët në vijim. Sipas kësaj kërkese, Llalla nuk mund të qëndrojë në qeli për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, për të cilën avokati i tij, është shprehur se vuan nga një sëmundje e rëndë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka shpallur ne kërkim ndërkombëtar Adriatik Llallën.
Kujtojmë se një ditë më parë Spak kishte nisur procedurat për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla. Sjellim në vëmëndje se Llalla u largua jashtë vendit pak ditë para shpalljes së vendimit të gjykatës për ta dënuar atë me dy vite burg dhe për t’i konfiskuar pasurinë, ku menjëherë pas kësaj ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Ndër të tjera, SPAK nuk ka bërë të ditura detaje të shumta rreth vendimit të marrë duke thënë se është duke bërë procedurat që parashikon ligji dhe nuk mund të japë më tepër informacione.