Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka arrestuar ditën e sotme ish-drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të tjerë të këtij televizioni.
Thoma Gëllçi është arrestuar për shkak të abuzimit me tenderat publikë, ndërsa ndaj tij është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”. Sipas SPAK është regjistruar një procedim penal për veprën “shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike“.
Mësohet se Thoma Gëllci, është arrestuar në Kolonjë te shtëpia e prindërve të tij. Ai është vënë në pranga nga policia e Kolonjës. Dyshohej se Gëllçi do të largohej nga Shqipëria.
Po ashtu edhe tre punonjësit e tjerë të RTSH-së, janë arrestuar nga policia për të njëjtat akuza. Kanë përfunduar me të njëjtën masë sigurie për shkelje të barazisë në tendera.
Nga burimet zyrtare bëhet me dije se bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh). Në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. E ndërsa, Gëllçi akuzohet për shpërdorim detyre se ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi.
Prej kohësh janë bërë denoncime për veprimtarinë korruptive të ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçit, duke nisur që nga tenderi i Festivalit të RTSH-së (një shumë prej 41.882.550 lekësh të rinj), abuzimi me taksat e shqiptarëve për ndeshjet e UEFA Champions League (3.2 milionë euro për 18 ndeshje futbolli), po ashtu tender 400 milionë lekë për arkivën e televizionit.
“Gjykata bazuar në nenet 228 e vijues; 244 dhe 245 të Kodit Procedurës Penale
VENDOS:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 të Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim Thoma Gëllçi, i biri i Jani dhe i Krisanthi, lindur më 27.12.1961, në Kolonjë dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerje të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal”, thuhet në dokumentin zyrtar ku ish-drejtori i RTSH-së dyshohet për kryerje të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.