Menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka dhënë deklaratën e tij rreth dorëheqjes së Ardi Veliut dhe emërimin në krye të policisë së Shtetit të Gledis Nanos. Çuçi tha se Veliu ka udhëhequr në mënyrë të suksesshme Policinë e Shtetit, ndërkohë që gazetarët e pyetën që të rendiste disa nga reformat që janë ndërmarrë vitet e fundit në fushën e rendit.
Ministri i Brendshëm tha se ka vlerësimin maksimal për punën e Ardi Veliut, edhe pse një ditë më parë u shpreh se ai do shkarkohej kur t’i mbaronte kandili. Lidhur me këtë deklaratë, Çuçi u shfajësua duke thënë se është keqkuptuar pasi ishte një retorikë e përdorur vetëm me opozitën në Komisionin e Sigurisë.
“Besoj se të gjithë treguesit e sektorit të policisë flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë të performancës së Policisë së Shtetit në nivele maksimale. Z. Nano që zëvendëson Veliun, pa diskutim që ka një sfidë për ta çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të policisë në këto vite. Fikja e kandilit, situata që krijohen me opozitën në komisione dhe do ja lë atij momenti. Janë të gjithë treguesit që flasin se kemi arritur një standard. Ne gjithmonë vendosim objektiva, synojmë për më mirë. E vetmja konstant e jona është ndryshimi. Tani sjellim një energji të re, me synimin për të realizuar objektivat dhe të gjitha angazhimet që kemi marrë ne në mandatin e tretë të qeverisë”, tha ministri i Brendshëm.