Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër ndodhet në “vdekje klinike”. Gazetari Artan Hoxha i ftuar ditën e sotme në studion e “Opinion”, ka thënë se të dy personat që kanë një të shkuar kriminale nuk kanë një pozicion të rëndësishëm në banda, por sipas tij kjo ngjarje është vijimësi e ngjarjeve të mëparshme.
“Elbasani pas fushatës kishte rënë në qetësi, nuk ka patur ngjarje sepse u vendosën ekuilibra. Dy grupe të mëdha u goditën nga kundërshtarët dhe prokuroria dhe kjo bëri që dy grupet e tjera të kalonin në një situatë stabël. Kjo ngjarje riktheu situatën. Të dy personat e goditur sot nuk janë personazhe të rangut të lartë në hierarkinë e bandave, por kanë një të kaluar kriminale. Njëri nga ata është arrestuar në 2015 dhe ka një vendim ekstradimi në Itali. Personi tjetër është arrestuar po për vrasje në 2018. Kemi parë dy skema në Elbasan. Njëri grup i zhduk makinat, tjetri i djeg. Ngjarja e sotme është nga grupi që i djeg makinat. Është në vijimësi me ngjarjet e mëparshme, sepse personazhet lidhen me njëri-tjetrin dhe derisa nuk bëhet e mundur goditja e bosëve të grupeve, kemi momente kur situata qetësohet dhe kemi momente kur situata eskalon si sot”, tha Hoxha në Opinion.