Mbrëmjen e sotme Elbasani është tronditur nga breshëri plumbash që i kanë marrë jetën dy personave. Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ekzekutimin e Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrin. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:00 në zonën e quajtur “Rrethrrotullimi i Luleve”. Një nga viktimat e atentatit është Lulzim Bitri i cili është i dënuar me katër muaj burg nga shteti maqedonas, pasi ka qenë i përfshirë në një përplasje me armë të ndodhur në vitin 2018 në qytetin e Tetovës, ku për pasojë ka mbetur i vrarë një person. Mësohet se Bitrit i është ndaluar hyrja në Maqedoni për pesë vite.
Edhe shtetasi Ardian Subashi (Çollaku) është një person me precedentë të mëparshme penale.
Mësohet se më 26 maj të vitit 2015 ai është arrestuar në qendër të qytetit të Elbasanit dhe një ditë para se të arrestohej ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Ardian Çollaku u shpall në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Modenas, e ka dënuar me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 110 dhe 600 të Kodit Penal Italian. Gjithashtu në vitin 2017 ai ka aksidentuar një person me biçikletë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Ndër të tjera Çollakut një vit më parë i është kërkuar edhe deklarimi i pasurisë, pasi ka qenë i skeduar si subjekt i OFL-së.