Debati për zhvillimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit duket se është zgjidhur. Konferenca e Kryetarëve ka njoftuar ditën e sotme se është vendosur që mbledhjet të zhvillohen me prezencë fizike duke respektuar rregullat e vendosura anti-COVID. Gjithashtu është njoftuar se duhet të respektohet distanca fizike dhe masat e tjera mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Po ashtu është njoftuar se të gjithë gazetarët dhe kameramanët të cilët do të jenë prezent në mbledhjet e komisioneve parlamentare duhet të jenë të vaksinuar ose të paraqesin një test PCR. Bëhet me dije se certifikata ose testi do t’i dorëzohen punonjësit të sektorit të medias në hyrje .
Njoftimi i plotë
Siç jeni informuar, Konferenca e Kryetarëve miratoi vendimin për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të përhershme të Kuvendit me prezencë fizike, duke respektuar distancimin fizik dhe masat e tjera mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Ju lutem, mbani parasysh që, në respekt të këtij vendimi, gazetarët dhe kameramanët, të cilët ndjekin mbledhjet e komisioneve parlamentare fizikisht, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ, përpara zhvillimit të mbledhjes.
Çertifikata ose testi do t’i dorëzohen punonjësit të sektorit të medias në hyrje . Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mund të më shkruani për cdo nevojë pêr mbêshtetje apo sqarim. Faleminderit.