Kapiteni danez Simon Kjaer dhe ekipi mjekësor që shpëtoi jetën e Christian Eriksen janë marrësit e Çmimit të Presidentit të UEFA -s këtë vit. Kjaer reagoi në mënyrë të shpejtë, duke i dhënë ndihmën e parë shokut të skuadrës dhe duke u treguar një lider i vërtetë.
Eriksen falenderoi ekipin mjekësor dhe Kjaer e gjithashtu nuk harroi fansat që i kanë dërguar mesazhe për ta mbështetur.
“Ju bëtë një punë fantastike dhe më shpëtuat jetën. Gjithashtu një falënderim i madh për mikun dhe kapitenin tim Simon dhe shokët e mi të skuadrës në ekipin danez për mbështetjen, si në 12 qershor ashtu edhe më pas.
Faleminderit të gjithë fansave që më kanë dërguar mesazhe mua dhe familjes sime. Do të thotë shumë dhe na ka dhënë forcë dhe mbështetje. Faleminderit”, tha Eriksen .
Christian Eriksen u rrëzua pa ndjenja në fushën e lojës në ndeshjen e parë të Danimarkës në Euro 2020 dhe u desh ndërhyrja e mjekëve që ai të rikthehej në jetë. Lojtari i Inter iu nënshtrua një operacioni dhe tashmë është i pajisur me një ICD – defibrilator kardioverter i implantueshëm – dhe është duke u shëruar.
Simon Kjaer u vlerësua për “përgjigjen e tij të admirueshme” ndaj situatës. Mbrojtësi i Milanit, 32 vjeç, e vendosi Eriksenin në pozicionin e rimëkëmbjes, filloi procedurën fillestare të CPR -së para se të udhëhiqte lojtarët danezë në krijimin e një muri rreth Eriksenit, kur ai mori kujdes mjekësor në mënyrë që kamerat të mos e filmonin.
“Është diçka që do të mbetet me ne për pjesën tjetër të jetës sonë. Ekipi reagoi si një i tërë, ne bëmë përpjekjen maksimale për të qëndruar së bashku dhe u përpoqëm ta kapërcejmë atë situatë dhe të ishim sa më ndihmues të jetë e mundur” u shpreh Kjaer
“Unë përpiqem ta drejtoj ekipin brenda dhe jashtë fushës, në çdo aspekt të jetës, si futbollistë, kur jemi bashkë. Mendoj se është një nga privilegjet më të mëdha që kam në karrierën time. Unë e njoh Christianin për shumë vite. Ai ka një familje të madhe, ka shumë miq, shumë shokë të skuadrës që duan më të mirën për të. Përderisa ai është i lumtur dhe familja e tij është e mirë, unë jam i lumtur”, shtoi Kjaer.
Shefi i eikpit mjekësor, Mogens Kreutzfeldt, tha se ata bënë atë që duhej të bënin dhe atë për të cilën ishin mësuar.