Mbrëmjen e sotme kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit edhe 43 512 doza të vaksinës anti-Covid të Pfizer. Në total, numri i vaksinave që kanë ardhur në vendin tonë ka shkuar në 1,899,172. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku bën apel që qytetarët të shfrytëzojnë muajin e hapur të vaksinimit.
“43,512 doza të vaksinës Pfizer kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,899,172 numrin e vaksinave të mbërritura në Shqipëri.
Shfrytëzojeni muajin e hapur të vaksinimit masiv”, shkruan Rama.
Kujtojmë që muaji gusht ka qenë muaj i hapur vaksinimi për të gjithë qytetarët +18 vjeç. Kjo do të jetë java e fundit e këtij muaji kur çdokush mund të paraqitet me kartën e identiteit në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit për të marrë dozat e vaksinës.
Ndërkohë, numri i infektimeve nga Covid-19 në vendin tonë vazhdon të mbetet i lartë prej disa javësh, ndikuar edhe nga prania e variantit Delta. Ditën e sotme janë regjistruar 397 raste të reja nga 4029 testime të kryera. Aktualisht janë 5792 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin dhe në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 84 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk kemi asnjë humbje jete.