Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka nisur sezonin e ri në Premier League me një përgjigje direkt ndaj sulmeve të rivalit të tij të Liverpool, Jurgen Klopp. Trajneri i gjerman “provokoi” në konferencën e fundit për shtyp përpara ndeshjes kundër Norwich për merkaton e deritanishme në Angli.
Skuadra e Liverpool ka shpenzuar vetëm 40 milionë euro këtë verë për mbrojtësin Konate, ndërsa Manchester City, Chelsea dhe Manchester United, kanë shpenzuar konkretisht 110 milionë euro për Grealish, 115 milionë euro për Lukakun dhe 130 milionë euro për Sancho e Varane.
“Unë nuk jam i surprizuar që ata shpenzojnë këto sasi parash, sepse këto klube nuk varen prej problemeve financiare që ka shkaktuar pandemia e Koronavirusit. Unë e di që ato e gjejnë një mënyrë për të shpenzuar, ndërsa ne e njohim situatën tonë. Të gjithë e dimë situatën e Chelsea, Man. Cityt dhe PSG-së. Ne kemi mënyrën tonë të menaxhimit. Na lejohet të shpenzojmë vetëm paratë që fitojmë”, tha Klopp para mediave.
Ndërsa “kundërsulmi” i Guardiolës, ishte: “Disa pronarë duan të fitojnë, disa jo. Kështu që ata nuk investojnë në skuadër, ndërsa ne investojmë çfarë mundemi. Dikur kishte vetëm një apo dy klube. Tani është Chelsea me Abramovich, si dhe ne me sheikun Mansour.
Ata duan të fitojnë në futboll, cili është problemi? Ne kemi kufizime prej “Fair Play” financiar dhe nëse ata nuk janë dakord, mund të shkojnë dhe trokasin në gjykatë për të na denoncuar. Ne e blemë Grealish sepse fituam 70 milionë euro nga shitjet, kështu që shpenzuam vetëm 40 milionë euro. Ne i respektojmë rregullat.
Liverpool fitoi kur investoi për dy lojtarë të mëdhenj, si Van DIjk dhe Alisson. Nëse nuk duan të shpenzojnë më, kjo ndoshta sepse ata besojnë se nuk kanë nevojë apo për shkak të pronarëve, nuk duan ata. Nuk e di, nuk jam atje për ta ditur”, ishte replika e Guardiolës.