Ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka pranuar se partia opozitare është në gjendjen më të keqe të mundshme. Ditën e djeshme, anëtarët e Partisë Demorkratike në Korçë njoftuan dorëheqjen e tyre, teksa Kadilli e konsideron si një krizë të madhe dhe që nuk është e vetmja.
Statusi i plotë i Fatbardh Kadillit:
Më keq se çdo herë! Jemi në situatën më të keqe ndonjëherë. Humbëm në ‘91. U frustruam. Na “iku petlla” siç thonë. Por, kishim bindje se jemi më të mirët, jemi e ardhmja. Kishim frymë. Ishim qeniet më të lira të kohës.
U rrëzuam në ‘97. Por kishim bindjen se na u bë padrejtësi. Na rrëzuan me fajde dhe me armë ata që kishin shkretuar vendin për 50 vjet. Kishim bindje se ishim naivë, por më të mirët, më të ndershmit. Mbi këtë bazë ndërtuam me mund frymen. U ringritëm.
U rrëzuam edhe në ‘13. Por, kishim bindjen se shqiptarët na vlerësonin se bëmë plot të mira. Mbi këto të mira dhe duke ndrequr gabimet tona do ndaheshim nga zullumi ynë dhe do riktheheshim. Duhej vetëm rinovim i ekipeve dhe një ofertë e re. Mundi shkoi dëm.
Hengrem një grusht tip “knock out” në ‘17. Por, krijuam bindjen se janë gabimet e herës së parë të kryetarit të ri. Vetë kryetari tha se nuk do i bënte me ato gabime. Patëm besim se era do fryjë në drejtimin tonë. Patëm besim te magjia e mandatit të dytë që gëlltit çdo qeveri. U munduam. U radikalizuam. Nuk krijuam frymë. Përkundrazi. Rrëzohemi pa u ngritur.
Po sot më ’21, ç’po bëjmë? Po ushqejmë bindjen se na e blenë pushtetin, por edhe frikën se do na i blejnë sa herë të duan. Siç thamë po njësoj edhe në 2015, në 2017. Sot, po ushqejmë shpresën e turpshme se do bashkëqeverisim. Po ushqejmë oportunizmin e atyre që presin të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme. Harrojmë që partia nuk mbahet duke xhongluar ambiciet e disa drejtuesve qendror dhe lokal. Partia ka demoralizimin më të madh në historianë e saj. Kriza e Korçës bie në sy se është më e zëshme. Por nuk eshte e vetme.
Nuk kemi asnjë projekt të ri. Kemi po atë kryetar që dështoi 8 vjet dhe që nuk garanton se nuk dështon më. Që nuk ka në mend të lëshojë monopolin dhe po humbi prapë pas katër vjetësh. Që hesht kur demokratët kanë nevojë të dëgjojnë vendimet e tij, dhe flet kur ka ai nevojë.
Kemi edhe ish kryetar që ka mbetur si gjyle në këmbët e partisë. Jo thjeshtë për raportet me SHBA. Por, sepse nuk jep më asgjë të re dhe vazhdon të gravitojë gjërat rreth vetes. Na mban larg mundësisë që të formulojmë një PD të re, një opozitë të re.
Jemi më keq se çdo herë tjeter. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe më keq. Kohët e vështira janë edhe mundësi të mëdha. Që të mund të ndalojmë rënien dhe të nisim ringritjen duhet të punojmë me ide të reja. Manifesti Politik këtë synon. Të punojmë me sytë nga e ardhmja.
Çdo përpjekje e secilit prej nesh do të shkojë në çlirimin e energjive të demokratëve. Çdo përpjekje do të shkojë në zgjerimin e hapësirës së lirisë dhe në garancitë demokratike në PD. Ne do të ringrihemi vetëm duke riformuluar misionin tonë”, shkroi Kadilli.