Qeveria i kaloi Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Partia Demokratike e cila e ka dënuar vendimin e qeverisë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi shkruan se ky është një akt poshtërues ndaj qytetarëve dhe Gjykatës Kushtetuese dhe sipas sajë këto janë pasojë e tjetërsimit të votës më 25 prill. Gjithashtu më tej ajo ka shkruar se “PD e ka thënë që prej ditës së parë se Edi Ramës, nuk i intereson një Teatër i ri Kombëtar, por vetëm trualli i tij, të cilin e sheh si burim për të përfituar para dhe pasuri të paligjshme.”
Vokshi i ka bërë thirrje SPAK, që mos të sillet më si lodër në duart e Ramës, por ta nxjerri atë para drejtësisë së bashku me Veliajn dhe të ndalojë këtë masakër të radhës.
Statusi nga Albana Vokshi
Vendimi i qeverisë për të kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës është një akt tjetër poshtërues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi i pak javëve më parë nga Gjykata Kushtetuese thotë qartë se vendimi i qeverisë i një viti më parë për të kaluar Teatrin në pronësi të Bashkisë së Tiranës ishte antikushtetues, në dëm të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Vendimi do të thotë se Edi Rama nuk pyet për institucionet e reja të drejtësisë, kur vendimet e tyre pengojnë planet e tij korruptive me tokën e Teatrit Kombëtar.
PD e ka thënë që prej ditës së parë se Edi Ramës, nuk i intereson një Teatër i ri Kombëtar, por vetëm trualli i tij, të cilin e sheh si burim për të përfituar para dhe pasuri të paligjshme.
Kalimi ne pronësinë e Bashkisë së Tiranës i truallit të Teatrit Kombëtar është pasojë e tjetërsimit të votës së qytetarëve. Një kryeministër si Edi Rama, pushteti i të cilit buron nga masakra elektorale e 25 prillit, ka për të marrë gjithmonë vendime kundër interesit të qytetarëve. Në vend të një kryeministri, vendi do të sundohet nga një politikan që del mbi gjykatat dhe mbi ligjin.
Është koha që SPAK të mos provohet si vegël në duart e sundimtarit Rama. Është koha që Edi Rama dhe Erion Veliaj të dalin para drejtësisë dhe të ndalohet masakra tjetër me tokën e Teatrit Kombëtar!