Është liruar nga burgu ish-sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, e cila ishte arrestuar disa muaj për parë për korrupsion. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest shtëpie” ndaj saj.
Tire Alldervishi u arrestua pasi vajza e një pacienteje me Covid-19, e shtruar në Sanatorium, denoncoi faktin se ish-sanitarja kishte marrë lekë duke u hequr si infermiere. Alldervishi mori një shumë prej 8 milionë lekësh, duke i premtuar vajzës se do të kujdesej për nënën e saj. Më vonë pacientja ndërroi jetë nga Covid, ndërsa dolën në dritë biseda që provonin trajtimin çnjerëzor që i ishte bërë asaj.
Vajza e pacientes denoncoi rastin duke publikuar ehde mesazhet ku lihej të kuptohej se ajo ishte lënë edhe pa ngrënë edhe pse vuante nga diabeti, ndërsa i lutej Tires për ushqim. Në mesazhe të tjera të vajzës me ish-sanitaren, shihej se kjo e fundit kërkonte para për t’i shërbyer pacientes.
Më herët, në 11 mars, Gjykata e Apelit kishte liruar edhe dy infermieret e Sanatoriumit, Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi, të cilat akuzoheshin si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit. Ato u lanë në masën “detyrim paraqitje” nga masa arrest me burg që ishin më parë. Të lira u lanë edhe infermierja Sidorela Kola dhe sanitarja Rukie Hoxha.