Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, njoftoi se do të largohet nga stoli i ekipit më 31 korrik, pas pesë vjet e gjysmë në këtë pozicion, në të cilin ai bëri histori duke udhëhequr ekipin e tij për të luajtur një Kampionat Evropian për herë të parë.
“Kontrata ime përfundon më 31 korrik. Kjo është konferenca ime e fundit për shtyp. Unë nuk do të jem trajner nga data 31”, tha ai pasi humbi 3-0 ndaj Hollandës.
Angelovski, 45 vjeç, tha se ka qenë një kënaqësi e madhe të drejtonte ekipin kombëtar në një Kampionat Evropian dhe të ndiente bukurinë e kampionatit.
Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut largohet nga kampionati me tre humbje kundër Ukrainës, Austrisë dhe Hollandës, me 2 gola në favor dhe 8 kundër.
“Unë mendoj se nuk mund të zhgënjehemi sepse ishte debutimi ynë në një Kampionat Evropian”, tha trajneri i përfaqësueses nga Ballkani, i cili vlerësoi mbështetjen që ka marrë nga lojtarët e tij, kapiteni i tij, Goran Pandev, ekipi i tij teknik, gruaja dhe fëmijët e tij.
“Këto janë momente që unë do t’i kujtoj gjithë jetën time, ata do të mbeten në mendjen time deri në fund të ditëve të mia”, shtoi trajneri.
Kujtojmë që ky nuk është largimi i vetëm për Maqedoninë e Veriut, pasi kapiteni legjendar Goran Pandev luajti ndeshjen e tij të fundit për kombëtarën kundër Holandës ditën e sotme.