Kandidati për kreun e PD, Agron Shehaj i ka bërë thirrje demokratëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet Brenda partisë që mbahen të dielën. Shehaj shkruan në një status në Facebook se të gjithë ata që kanë kartën e anëtarësisë kanë të drejtën të votojnë dhe askush nuk ka pushtetin t’ua heq këtë të drejtë. Shehaj thotë se duhet votuar ndryshimi në mënyrë që Partia Demokratike të kthehet në ditët e mëdha.
Postimi i plotë:
Të dashur demokratë,
Secili nga ju, nëse keni kartë anëtarësie apo jeni në listën e votuesve të partisë, ka të drejtë të votojë ditën e dielë.
Askush, asnjë komisioner dhe asnjë komision, nuk ka pushtetin t’ju heqë të drejtën e votës ditën e dielë, sepse këtë të drejtë ua jep Statuti i partisë.
Koha kur mund t’ju quanin armik, t’ju përjashtonin apo t’ju hiqnin votën për mendimet tuaja ndaj udhëheqësit e partisë, vdiq ditën që lindi Partia Demokratike.
Mos rrini, dilni në votim. Votoni ndryshimin, që ta kthejmë Partinë Demokratike në ditët e saj të mëdha, në ditët kur ajo ishte partia që fiton.
Ditën e dielë, në 13 qershor mbahen zgjedhjet për kryetarin e partisë Demokratike. Në garë janë kreu aktual, Lulzim Basha: Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj.