Kandidati për kreun e PD, Agron Shehaj ka thënë se dy gabimet më të mëdha të PD gjatë kohës që ka qenë në opozitë, janë djegia e mandateve dhe mos-hyrja në zgjedhjet lokale. Në emisionin “Opinion” Shehaj tha se djegia e mandateve i dha kohë ramës që të ndryshonte sistemin.
“Djegia e mandateve, i lejoi Ramës ndryshimin e sistemit. Mos-hyrja në zgjedhjet lokale na ka kushtuar me dhjetra mijëra vota në Shqipëri. Në fushatë, çështja kryesore duhej të ishte lufta kundër korrupsionit dhe jo me dhjetëra çështje duke i dhënë të gjithëve nga një çikë”, tha Shehaj.
Ai tregoi se grupi parlamentar nuk është mbledhur ndonjëherë për djegien e mandateve dhe se të gjithë janë vënë para faktit të kryer. Shehaj tha se vendosi që të mbështesë vendimin në mënyrë që t’i qëndrojë besnik PD-së-
“Nuk është mbledhur ndonjëherë grupi parlamentar tek i cili bëj pjesë për djegien e mandateve. Jemi vënë para faktit të kryer. Kryetari i PD-së tha: do t’i paraqes grupit dhe kryesisë mundësinë e djegies së mandateve. Për mua kjo ishte para faktit të kryer. Unë nuk kam qenë në mbledhjen që është bërë pasi u mblodh kryesia dhe pasi Basha tha do djegim mandatet. Unë vendosa të mbështes dhe të mbroj vendimin për t’i qëndruar besnik PD-së. Dhe të kthehesha në kohë do të merrja prapë të njëjtin vendim”, deklaroi Shehaj.