Vllaznia ka triumfuar përballë Skënderbeut me rezultatin 1-0 në stadiumin “Air Albania” duke u bërë kështu fituese e Kupës së Shqipërisë. Ky është trofeu i vetëm për shkodranët këtë sezon, pasi zhvilluan një kampionat mjaft të mirë të cilin e humbën vetëm në javën e fundit përballë Teutës vetëm falë golavarazhit që kishin durrsakët.
Goli i vetëm për të besuarit Tomas Brdariç u shënua nga braziliani Viktor da Silva në minutën e 39-të të takimit.
Vllaznia dominoi një pjesë të takimit, ndërsa Skënderbeu tentoi të shfrytëzonte kundërulmet për të shënuar në portën e kundërshtarit.
Kjo është kupa e shtatë që Vllaznia fiton, ndërsa për herë të fundit e kishte marrë këtë trofe në vitin 2008.
Ndeshja e sotme në “Air Albania” ishte e para që zhvillohej me tifozë pas mungesës së këtyre të fundit për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë (edhe pse kanë qenë të pranishëm në ndeshjet e fundit jo me lejen e qeverisë). Të pranishëm në finalen e kupës kanë qenë 1 mijë tifozë, pasi Ministria e Shëndetësisë i dha dritën jeshile pranisë së tyre ditën e sotme. Njoftimi erdhi mjaft vonë nga ministria, gjë që detyroi federatën të vinte në dispozicion biletat duke nisur nga ora 14:30, ndërkohë që ndeshja ka nisur në orë 19:00.