Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur që të mos pranojë prova shtesë për parregullsitë e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit. KAS nuk ka pranuar t’i drejtohet institucioneve për prova dhe është tërhequr nga vendimi për këtë pjesë.
“KAS, duke qenë se kemi pasur një rast të ngjashëm, me shumicë, vendosëm të konfirmojmë të njëjtën qëndrim, KAS nuk pranon që t’i drejtohet institucioneve për prova të PD, ky është një vendim i ndërmjetëm që do të arsyetohet bashkë me veprimin përfundimtar. Në këto kushte, duke qenë se shqyrtimi administrativ i ka shqyrtuar fazat e tij. KAS do të tërhiqet për vendim, për këtë pjesë”, u tha në mbledhje.
Ndërkohë, përfaqësuesi i PD, Marash Logu tha se nga kryqëzimi i pajisjeve të identifikimit elektronik, janë 4 raste që kanë votuar në 8 qendra votimi të ndryshme.
“Nga kryqëzimi i pajisjeve elektronike PEI, shohim 4 raste të cilat ata kanë votuar në 8 qendra votimi të ndryshme. Kjo krijon dyshimin e arsyeshëm që këto persona kanë votuar 71 herë. Duam të ndahemi më gjatë në listën e vendosur në dispozicion, e verifikuar që këta shtetas, kishin votuar apo jo. Pyetja ime për administratën do të ishte se ka 33 shtetas që s’kanë votuar. Pyetja ime do të ishte a është kryer verifikimi që në këto qendra ka pasur ndërprerje. Në konkluzionet tona përfundimtare duhet përfshirë ajo që ne kërkojmë. Duke qenë se hetimi administrativ nuk është mbyllur, për nevoja hetimi, dje u tha që PD, nuk ka dërguar kërkesa në institucionet publike. Ne i kemi dërguar. Ajo që na ka sjellë këtu, është që duam të depozitojmë në cilësinë e provës materiale”, tha Logu para se të komunikohej vendimi.