Hetimet për vrasjen e Artan Santos do të rinisin sërish. Mësohet se Prokuroria ka të dhëna të reja që lidhen me dosjen e vrasjes së bankierit, vrasja e të cilit mbetet ende e pazbardhur.
Prokuroria e Tiranës bëri kërkesë në janar të këtij viti për rihapjen e një prej dosjeve më te bujshme në Shqipëri. Dosja kishte mbetur pezull për mungesë provash nga ana e prokurorëve Naim Tota dhe Shpëtim Garunja Ata ia kaluan çështjen për ndjekje hetimore të mëtejshme Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë.
Tashmë është Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ajo që e ka marrë në dorë çështjen. Nuk dihet ende se cilat kanë qenë indiciet apo provat mbi të cilat është marrë vendimi për ta rihapur këtë dosje, por ka dyshime se bankieri është eliminuar nga një grup i strukturuar criminal. Nuk është bërë me dije nëse janë gjetur element të rinj që mund të ndihmojnë në identifikimin e vrasësit i cili u largua me motor bashkë me një person tjetër.
Bankieri Artan Santo u vra në 26 qershor të vitit 2014 para zyrës së tij të punës në zonën e ish-Bllokut. Autorët e vrasjes u larguan me motor vetëm pak çaste pasi kryen krimin. Lidhur me ngjarjen policia shoqëroi dhe mori në pyetje mbi 200 persona.