Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtar në datën 16 maj ku do të diskutohet për zgjedhjet e 25 prillit. Kësaj do t’i paraprijë mbledhja e Kryesisë në po të njëjtën ditë. Kjo bëhet e ditur nga një mesazh që Sekretari i Përgjithshëm i PD i ka dërguar anëtareve të Kryesisë ku thuhet se në rendin e ditës do të jenë: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.
Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së parë, në orën 19:00 do të fillojë mbledhja e Këshillit Kombëtar. Të dyja mbledhjet do të zhvillohen në selinë e Partisë Demokratike, në sallën e Grupit Parlamentar.
Mesazhi i plotë i Gazment Bardhit:
Të nderuar anëtarë të Kryesisë!
Ditën e dielë, datë 16 Maj 2021, ora 17:00, do të zhvillohet mbledhje e Kryesisë së Partisë, me rend ditë: “Diskutime dhe vendimmarrje sipas Statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 Prillit”.
Më pas, në orën 19:00, me të njëjtin rend dite, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar.
Mbledhjet do të zhvillohet në selinë e Partisë, në sallën e Grupit Parlamentar, Kati i II.
Ju lutem merrni masat për pjesëmarrjen tuaj!
Me respekt,
Sektetari i Përgjithshëm
Gazment Bardhi