Presidenti i ekipit të futbollit dhe drejtori teknik i Kastriotit, kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi shkaktuan tensione dhe ndërprnë ndeshjen Tirana-Kastrioti. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit Alban Vogli 34-vjeç dhe Gazmend Vogli 32-vjeç.
Ata janë arrestuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve:
•Alban Vogli 34 vjeç, Presidenti i një ekipi futbolli
•Gazmend Vogli 32 vjeç, Drejtor Teknik i një ekipi futbolli
Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana-Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.