Skip to content
Të Gjitha

Pranga mjekut nga Gramshi/ Mori ryshfet për t’i dhënë “Kemp” një të moshuari në gjendje të rëndë

· 2 min lexim

Emisionet investigative jo pak herë janë bërë shkak për publikimin dhe arrestimin e shumë personave, zyrtarëve, drejtorëve ose nëpunësve që kanë abuzuar me detyrën. Këtë herë ajo që është zbuluar lidhet me mjekësinë.

Emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar këtë të hënë mjekun 60-vjeçar nga qyteti i Gramshit, i cili ka marrë 30 mijë lekë ryshfet për t’i dhënë “Kemp”-in një të paralizuari.

Pas vendosjes në dijeni të instancave përkatëse, policia e Elbasanit ka arrestuar sot mjekun, Çaush Zogu të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të urdhrit të Prokurorit, bënë ndalimin e Zogut, me detyrë mjek neuro-psikiatër.

Emisioni invesigativ e ka denoncuar mjekun me zë dhe me figurë në momentin e marrjes së ryshfetit dhe premtimit që i ka bërë djalit të të paralizuarit se dokumentet do t’i kishte në rregull.

I moshuari është prej 6 muajsh në gjendje të rëndë dhe komunikon me gjeste me familjarët. Doktori neurolog i Gramshit, Çaush Zogu e pranon se pacienti është në gjendje të rëndë, e duke përfituar nga kjo situatë, i kërkon djalit të tij 30 mijë lekë vetëm për të shpejtuar dokumentet në Tiranë dhe Elbasan.
Ndalimi i tij u bë pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku mjeku i ka marrë shtetasit A.S, shumën prej 30.000 lekë me premtimin e dhënies së KEMP-it, për babain e tij.