Kontrollorët e trafikut ajror në Rinas, kanë vijuar grevën edhe ditën e sotme, duke sjellë edhe mbylljen e kullës së vrojtimit. Si pasojë, është bërë e pamundur ulja e avionëve në pistë.
Një avion pasagjerësh, që vinte nga Greqia, ka qëndruar në pritje për rreth 30 minuta mbi aeroportin e Rinasit dhe për shkak pamundësisë për ulje, është detyruar të kthehet drejt destinacionit nga ishte nisur.
Në aeroport, pritet të shkojë edhe vetë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për të negociuar me kontrollorët për rinisjen e punës. Kujtojmë se ditën e djeshme, 60 kontrollorë të “Albkontroll” në Rinas, hynë në grevë për shkak të pushimit nga puna të 5 kolegëve të tyre, si dhe për shkak të uljes së pagave.
5 personat e pushuar nga puna janë: Flora Ndreca, Muhin Mezini, Nelton Shabani, Gentian Hodo dhe Edvin Bakiri. Kontrollorët thonë se u thirren direkt nga drejtuesit dhe u njoftuan për pushim nga puna, por ata refuzuan të firmosin. Pritet që gjatë këtyre ditëve, të ketë probleme me trafikun ajror, për shkak se nuk do të ketë kontrollorë në kullë.
Ndërkohë, kontrollorët nga ana e tyre kanë hartuar një plan me 5 pika, realizimi i të cilave sipas tyre do të zhbllokojë ngërçin e krijuar.
Kërkesat e kontrollorëve:
– Rikthim i kolegëve në punë
– Shfuqizim i vendimeve të bordit
– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive
– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020
– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi