Gjendja e sotme e krijuar në Parlament pas hedhjes së bojës nga Edi Paloka në drejtim të kryeministrit Rama ka qenë ngjarja e ditës.
Për të folur pikërisht për këtë veprim, Paloka është ftuar në “Opinon” ku edhe është përgjigjur pse zgjodhi pikërisht seancën e sotme për ta kryer aktin.
Seanca e sotme ishte seancë solemne duke qenë se i ftuar ishte Talat Xhaferri dhe në parlament do të votohej protokolli për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO, mirëpo gjërat nuk shkuan siç ishin parashikuar.
“Nuk duruat dot deri në seancën e radhës por në momentin që keni një mik të ftuar bëni show?” pyeti Iris Luarasi.
Paloka u përgjigj se e gjithë kjo ishte “një lojë e Ramës dhe Ruçit”. Gjatë përgjigjes së tij ai ka thënë se ata u përpoqën të zhvillonin një seancë sikur gjithçka ishte në rregull dhe gjërat ishin duke shkuar më së miri, kur në fakt është krejt e kundërta.
“Pikërisht për këtë e lanë mikun të merrte fjalën i pari, por nuk mund të pranonim të përdorej seanca sikur gjërat ishin normale”, tha deputeti demokrat.
“Akti im është simbolik, hakmarrjen e bëj ndryshe. Por ishte po Rama që provokoi me gojën e tij të qelbur atë që ndodhi. Isha përgatitur prej një jave, por nuk do ta bëja nëse nuk do më provokonte; nuk do dilte në racën e tij, në zërin e tij. Nuk mund të lejonim ne të përdorej seanca për fasadë.”