Skip to content
Kryesore

81 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, studentët ngrihen në Prishtinë: Marshim kundër vendimeve të Hagës

· 2 min lexim

Studentët e universiteteve të Kosovës kanë nisur këtë të hënë marshimin në Prishtinë, në kundërshtim të aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Marshimi nisi nga Qendra e Studentëve në kryeqytet, ndërsa pjesëmarrësit kanë përmendur gjatë protestës emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, të dënuar në procese të zhvilluara nga Dhomat e Specializuara.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte njoftuar më herët organizimin e marshimit për të hënën, në mbështetje të ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së.

Protesta vjen pesë ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vite burg: Thaçi dhe Krasniqi me nga 25 vite, Veseli me 18 vite dhe Selimi me 13 vite.

Trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.

Aktgjykimi ka shkaktuar reagime dhe protesta të njëpasnjëshme në Kosovë. Në ditët pas vendimit, në Prishtinë janë zhvilluar tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara.