Skip to content
Aktualitet

62 milionë euro, Bashkia e Tiranës tender për pallatet e shkatërruara nga tërmeti në Kombinat

· 2 min lexim

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se ka hapur procedurën e prokurimit me fond limit 62 milionë euro, për ndërtimin e banesave që u shkatërruan nga tërmeti, më konkretisht në zonën e Kombinatit.

Objekti i tenderit ka “Rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, në njësinë administrative 6, zona  “Kombinat”  Bashkia Tiranë”.

Kompanitë e interesuara do të jenë të detyruara që të përgatisin projektin e zbatimit dhe rindërtimin e njësive të banimit (pallat) në zonat e prekura nga tërmeti, në njësinë administrative 6.

Kohëzgjatja e Marrëveshjes Kuadër do të jetë 36 muaj. Kohëzgjatja e kontratës/kontratave do të jetë deri në 27 (njëzetë e shtatë) muaj nga momenti i lidhjes se kontratës ose me afat me të shkurtër në varësi të veçantisë së objektit të infrastrukturës.

Bashkia sqaron se oponenca e projektit do të bëhet nga Instituti i Ndërtimit teksa specifikon se çfarë nënkupton procesi i Rindërtimit.

“Rindërtimi nënkupton të gjithë proceset e punës së nevojshme për të patur një ndërtesë (pallat) të përfunduar funksionale dhe të jetueshme sipas legjislacionit, duke filluar nga:

  • Planifikimi, mobilizimi dhe ngritja e kantierit;
  • Demolimi largimi i inerteve dhe mbetjeve te objekteve dhe infrastrukturës ekzistuese ne sheshet e ndërtimit;
  • Përgatitja e sheshit dhe punimet e gërmimit/mbushjes (nëse ka);
  • Përgatitja dhe ndërtimit i themeleve/bazamentit, strukturave nëntokësore
  • Përgatitja dhe ndërtimi i strukturës/karabinasë dhe muratures;
  • Rifinitura dhe punimet e fasadave;
  • Të gjitha instalimet e nevojshme (furnizimi me energji elektrike, telefoni dhe internet, furnizimi me ujë të pijshëm, shkarkimet e ujrave të përdorura etj.,)
  • Testimi dhe vënia në funksionim;
  • Përgatitja e dokumentacionit përkatës dhe dorëzimi i objektit dhe dokumentacionit shoqërues tek mbikëqyrësi dhe investitori.

/GazetaReforma.com/